Më 26 janar 2022, RrMBGj në kuadër të projektit “Buxhetimi i Përgjigjshëm Gjinor në Ballkanin Perëndimor dhe Republikën e Moldavisë”, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA), organizoi webinarin e tretë të titulluar “Sigurimi i Barazisë – Menaxhimi i përgjigjshëm gjinor i financave publike dhe roli i OSHC-ve”.

Qëllimi i webinarit konsistonte në diskutimin e shpenzimeve publike dhe llogaridhënies financiare, i njohur gjithashtu si PEFA, veçanërisht lidhur me kuadrin plotësues për vlerësimin e menaxhimit të përgjigjshëm gjinor të financave publike dhe rolin që OShC-të mund të kenë në përmirësimin e aplikimit të kësaj metodologjie në Ballkanin Perëndimor dhe në Republikën e Moldavisë.

Webinari u hap dhe u moderua nga znj. Nicole Farnsworth nga Rrjeti i Grave të Kosovës, e cila gjithashtu dha një hyrje të shkurtër mbi thelbin dhe rolin e Shpenzimeve Publike dhe Llogaridhënies Financiare (PEFA).

Znj. Tia Raappana, përfaqësuesja e Sekretariatit të PEFA-s ishte folësja e parë. Ajo prezantoi kuadrin plotësues të PEFA-s për vlerësimin e menaxhimit të përgjigjshëm gjinor të financave publike, duke thënë se ky kuadër u zhvillua për të lehtësuar mbledhjen e informacionit, për të vlerësuar shkallën në të cilën sistemet MFP të vendeve promovojnë dhe kontribuojnë në barazinë gjinore, si dhe për të adresuar nevojat e ndryshme të burrave dhe grave. Ajo shtoi se qëllimi i vlerësimit është të vendosë një pikë referimi performance, duke theksuar progresin e bërë dhe duke identifikuar mundësitë që kanë vendet për t’i bërë MFP-të e tyre më të përgjigjshme nga aspekti gjinor, në mënyrë që të mbyllen boshllëqet e pabarazisë gjinore. Ajo inkurajoi fuqishëm Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) që t’i përdorin këto mjete si një mënyrë për të pasur një dialog dhe për të parë praktikat nga e gjithë bota. Për ta bërë temën më pak abstrakte, znj. Raappana ndau 9 treguesit e menaxhimit të përgjigjshëm gjinor të financave publike (GRPFM) dhe theksoi rëndësinë e lidhjes së GRPRM-së me ciklet buxhetore, të tilla si Cikli i Përgatitjes së Buxhetit, Cikli i Ekzekutimit të Buxhetit, Cikli i Kontabilitetit e Raportimit, dhe Shqyrtimi e auditimi i jashtëm.

Folësja e rradhës ishte znj. Maja Bosnic, përfaqësuese e NIRAS International Consulting. Ajo i prezantoi pjesëmarrësit me shembuj të mirë nga projektet e zbatuara mbi BPGJ në Ukrainë dhe Indonezi, si dhe kontributin e ardhur nga OSHC-të lokale. Megjithatë, mesazhet e saj kryesore ishin të drejtuara mbi mundësitë për përmirësimin e MFP-ve në lidhje me komponentin gjinor, si p.sh. zgjerimi i mbledhjes së të dhënave të ndara sipas gjinisë dhe përfshirja e tyre në dokumentacionin buxhetor, gjë që do t’i mundësonte Qeverive të lehtësonin diskutimet mbi ndikimin e programeve dhe shërbimeve, të kenë një fokus më të madh në analizën gjinore si bazë për parimet e BPGJ-së, ndjekjen e mënyrës së alokimit të buxhetit për barazinë gjinore dhe marrjen në konsideratë të përfshirjes së një raporti mbi statusin aktual të barazinë gjinore, një deklaratë të prioriteteve të Qeverisë për përmirësimin e barazisë gjinore, ose detaje mbi masat e shpenzimeve dhe të ardhurave që synojnë forcimin e barazisë gjinore.

Folësja e fundit ishte znj. Collins nga European Women’s Lobby, e cila theksoi se buxhetimi gjinor nuk është i integruar në mënyrë sistematike, por përkundrazi ai është në proçes eksperimentimi dhe kjo situatë po vazhdon prej një kohe të gjatë tashmë. Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e realizimit të buxhetimit të përgjigjshëm gjinor duke i kujtuar të gjithë të pranishmëve në webinar, se asnjë vend në Bashkimin Evropian (BE) apo kudo në botë nuk ka arritur ende barazinë gjinore. Sipas Indeksit të Barazisë

Gjinore, të indikatorëve të Institutit Evropian për Barazinë Gjinore (EIGE) rezulton se në një shkallë deri në 100, BE-ja ka shënuar 66 pikë. Kjo tregon se në të vërtetë ritmi me të cilin po ecim është shumë i ngadaltë dhe do të na duhen 60 vjet për të arritur Barazinë Gjinore, prandaj kemi nevojë emergjente për të ecur përpara. Znj. Collins trajtoi gjithashtu ndikimin e pandemisë COVID-19 dhe mënyrën se si pandemia e bëri të dukshëm rolin e grave në mbështetjen e shoqërisë, por edhe pabarazitë masive në mbarë botën midis burrave dhe grave, si sasia e papaguar për përkujdesje, puna në familje, etj.

Pas fjalimeve të të ftuarave, webinari vijoi me diskutime dhe pyetje dhe përgjigje. Komentet dhe pyetjet ishin kryesisht të lidhura me ngjashmëritë mes kuadrit plotësues PEFA dhe treguesit 5.C.1 të OZHQ-ve, rolin e institucioneve të BE-së në lidhje me rritjen e BPGJ-së si dhe zbatueshmërinë e skemave të monitorimit në nivel(et) vendor(e)