CRPM ka mirëpritur partnerët e RrMBGj në Maqedoninë e Veriut nga data 20 në 25 qershor 2023. Dy ditët e para iu kushtuan çështjeve të gjinisë dhe ndryshimeve klimatike, masave të zbutjes dhe përshtatjes.
DITA 1
Në ditën e parë të workshop-it tonë mbi Gjininë dhe Ndryshimet Klimatike, patëm rastin të vizitonim Malin Vodno ku edhe nisëm workshop-et katër ditore. Pas kësaj vizite vijuam me sesione të zhvilluara nga Slavjanka Pejchinovska-Andonova, e cila bëri një prezantim të konceptit të ndryshimeve klimatike, masave të zbutjes dhe përshtatjes dhe komponentit të barazisë gjinore në veprimet ndaj ndryshimeve klimatike.
Cilat janë burimet kryesore të shkarkimeve të gazeve me efekte serrë, cilat janë impaktet e ndryshimeve klimatike dhe kush janë grupet më të cenueshme ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike?
E nisëm diskutimin me Faktet e Ndryshimeve Klimatike – nën drejtimin e ekspertes Slavjanka Pejchinovska-Andonova. Sesioni nxiti një diskutim ndërveprues mes të gjithë pjesëmarrësve lidhur me pikëpamjet e tyre mbi ndryshimet klimatike dhe çfarë veprimesh mund të ndërmarrim në nivel individual dhe kolektiv. Slavjanka na paraqiti një shpjegim shumë konstruktiv të dukurive të ndryshimeve klimatike dhe veprimtarive njerëzore që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.
Cilat janë nevojat në secilin vend dhe çfarë lloj veprimesh duhet të fillojmë të ndërmarrim për të reduktuar shkarkimet e Gazeve me Efekte Serrë (GES) dhe pasojat e tyre në mjedis, në humbjen e biodiversitetit dhe në jetët tona?
Sesioni i dytë i ditës u fokusua në marrëdhënien midis çështjeve të gjinisë dhe ndryshimeve klimatike – rolet gjinore në shoqëri dhe si këto role specifike e bëjnë gruan më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Diskutuam shembuj të cenueshmerisë ndaj ndryshimeve klimatike në veprimtari të ndryshme ekonomike në kontekstet tona lokale.
Si munden veprimet klimatike të përgjigjshme gjinore të mbështesin barazinë gjinore dhe të minimizojnë impaktet e ndryshimeve klimatike?
Diskutimi na çoi në përfundimin se masat duhet të jenë shumështresore, që do të thotë se nëse kryhet një ndërhyrje, duhet të marrim në konsideratë impaktet e ndryshme që ajo do të ketë, sidomos për sa i përket grupeve të cenueshme dhe të disavantazhuara.
DITA 2
Dita e dytë e workshop-it ishte shumë intensive, por i kemi synimet e larta!
Sesioni i mëngjesit iu kushtua temës komplekse të angazhimeve ndërkombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe Barazinë Gjinore – udhëhequr nga ekspertja Gordana Nestorovska. Me ndihmën e Gordanës, kuptuam më mirë lidhjen midis angazhimeve ndërkombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe Barazinë Gjinore. Angazhimet ndërkombëtare janë baza për rrjetin tonë monitorues në monitorimin dhe mbikëqyrjen se si ato integrohen në politikat dhe legjislacionin kombëtar në vendet tona partnere. OSHC-të që po trajnojmë mbi mjetet e Buxhetimit të Përgjigjshëm Gjinor në rrjetin tonë do të duhet të përdorin gjithashtu angazhimet dhe mekanizmat raportues të shtetit si mjete advokimi. Vazhduam diskutimin mbi mundësitë e Financimit për Ndryshimet Klimatike me Slavjanka Pejchinovska – Andonova, e cila na prezantoi me Fondin e Gjelbër për Klimën (Green Climate Fund – GCF), misionin e tij, instrumentet financiare që mbështesin veprimet ndaj ndryshimeve klimatike, kriteret për pranimin e projekteve, shembuj të mirë të projekteve për ndryshimet klimatike me veprime për përshtatjen dhe zbutjen.
Si t’i angazhojmë gratë dhe burrat e të gjitha moshave si aktorë në hartimin, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të klimës që kërkojmë të financohen?
Në sesionin e pasdites, punuam së pari për zhvillimin e metodologjisë së rrjetit tonë e cila do t’i pajisë OSHC-të me mjete të ndryshme që mund të përdoren në nivele të ndryshme (lokal, kombëtar) dhe ndërhyrje të ndryshme (aktivitete, projekte, programe, strategji) për veprimtari monitoruese të financimit për ndryshimet klimatike nga perspektiva gjinore. Pas kësaj, sesioni i fundit ishte një reflektim mbi diskutimet e të gjithë ditës dhe integrimi i informacionit të ri të marrë nga ekspertet në zhvillimin e një mjeti për hulumtimin rajonal mbi vlerësimin e gjinisë në financimet për ndryshimet klimatike.
Si mund t’i ndihmojmë grupet e synuara të identifikojnë nevojat e tyre të vërteta? Cilat janë rolet gjinore në sektorë të ndryshëm? Si mund të sigurojmë Prokurim të Gjelbër dhe të ndjeshëm nga ana Gjinore?
Në përfundim na lindën edhe shumë pyetje të tjera, por kjo na bëri edhe më kureshtarë për t’i hyrë më thellë punës sonë. E përmbyllëm workshop-in duke hartuar një plan shumë të qartë veprimi me 5 hapa, nën drejtimin e Marija Risteska, drejtore ekzekutive e CRPM. Ky plan veprimi do të ndiqet nga partnerët në dy muajt e ardhshëm. Na ndiqni!