Kur ndodh një krizë, qoftë zjarr, përmbytje apo pandemi, çdo sekondë ka rëndësi. Por çfarë ndodh kur planet që janë krijuar për të mbrojtur qytetarët anashkalojnë nevojat e gjysmës së popullsisë? Në Maqedoninë e Veriut, kjo pyetje u bë dhimbshëm e qartë gjatë pandemisë COVID-19. Për vite me radhë ishin përgatitur ekipe emergjente, trupa të posaçme dhe plane për menaxhim të krizave, por zërat e grave rrallë ishin përfshirë. Si rezultat, sistemet që udhëhiqnin përgjigjet lokale shpesh nuk i merrnin parasysh sfidat specifike me të cilat përballen gratë në kohë krize.
Shoqata për Inovacione Sociale dhe Zhvillim të Qëndrueshëm RADAR zbatoi me sukses projektin “Përfshirja e perspektivës gjinore në planifikimin dhe menaxhimin e situatave emergjente dhe krizave në nivel lokal”. Fushat e intervenimit ishin komuna të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Berovon, Kavadarcin, Koçanin dhe, shtesë, Komunën e Karposhit.
Në vend se të shqyrtonte vetëm dokumentet zyrtare, RADAR hulumtoi më thellë. Ata analizuan mënyrën se si komunat po përgatiteshin për emergjenca, duke ngritur pyetje thelbësore:
-
A janë gratë të përfaqësuara në ekipet lokale të menaxhimit të krizave?
-
A i marrin planet parasysh dallimet e ndikimit të krizave tek gratë dhe burrat?
-
A ka fonde të veçuara në buxhetet lokale për të mbështetur grupet vulnerabël gjatë emergjencave?
Përgjigjet zbuluan mangësi serioze.
Rezultatet e analizave treguan se komunat, gjatë përgatitjes dhe vlerësimit të planeve të menaxhimit të krizave, nuk kishin integruar perspektivën gjinore dhe nuk kishin informacion mbi mënyrën dhe shkallën se si krizat do të ndikonin tek gratë, mirëqenia e tyre dhe roli i tyre në procesin e parandalimit. Mungesa e perspektivës gjinore ishte veçanërisht e dukshme në pjesët që lidhen me: mungesën e të dhënave të ndara sipas gjinisë, pasojat ndaj grave dhe pjesëmarrjen e tyre në organet e menaxhimit të krizave. Kjo përfshinte vlerësimet për rrezikun nga fatkeqësitë natyrore dhe të tjera, planet e mbrojtjes dhe sigurisë, planet operative për mbrojtje nga fatkeqësitë si përmbytjet dhe zjarret, planet e evakuimit dhe të ndihmës së parë.
Një nga gjetjet më tronditëse erdhi nga shkollat. Këto institucione, që pritet të jenë hapësira të sigurta për fëmijët, rezultuan të papërgatitura për emergjenca bazike si zjarret.
“Ka ushtrime, por prej dy vitesh unë kam qenë në turnin e dytë ditën kur janë mbajtur, prandaj ende nuk kam marrë pjesë.” – Mësuese
-
Shtatë nga dhjetë anëtarë të stafit nuk kishin marrë kurrë trajnim për përdorimin e zjarrfikësve;
-
Edhe ata që kishin marrë trajnim pranuan se nuk ndiheshin të sigurt ta përdornin;
-
Protokollet e sigurisë ishin të paqarta, dhe shumë këshilla shkollore nuk kishin udhëzime të qarta;
-
Jo të gjithë anëtarët e stafit ishin të informuar në mënyrë adekuate mbi masat parandaluese dhe hapat që duhet të ndiqen në rast zjarri;
-
Pjesa më e madhe e anëtarëve të këshillave shkollore nuk kishin njohuri të mjaftueshme mbi kushtet e mbrojtjes nga zjarri dhe përdorimin e pajisjeve përkatëse.
Meqenëse shumicën e stafit shkollor e përbëjnë gratë, ky hendek në trajnim i vendosi ato në rrezik të veçantë. Nuk ishte vetëm çështje e sigurisë nga zjarri – ishte tregues se si pabarazitë gjinore shfaqen në vendet më të papritura dhe kritike.
Mangësitë e tjera të identifikuara ishin:
-
mungesa e një sistemi për të informuar prindërit se fëmijët janë evakuuar dhe janë të sigurt;
-
mungesa e vetëdijes se, për shkak të dallimeve gjinore, duhet të ketë më shumë zjarrfikëse, por me peshë më të vogël, të vendosura në çdo klasë.
Projekti solli një ndryshim real në mënyrën se si komunat e Berovos, Kavadarcit, Koçanit dhe Karposhit e perceptojnë përgatitjen për kriza. Për herë të parë, planet lokale të menaxhimit të krizave u shqyrtuan përmes një lente gjinore, duke zbuluar boshllëqe kritike dhe duke shtyrë autoritetet të integrojnë rekomandime të ndjeshme gjinore drejtpërdrejt në politikat e tyre. Çdo komunë mori raporte të personalizuara mbi buxhetimin gjinor, të cilat u shndërruan shpejt në mjete të fuqishme avokimi për planifikim dhe shpërndarje më gjithëpërfshirëse të resurseve.
Këto gjetje nuk mbetën vetëm në letër! Ato u ndanë me ekspertët që zhvillojnë Planet e Integruara të Zhvillimit Lokal (2024–2027), të mbështetura nga UNDP, duke siguruar që barazia gjinore të jetë e integruar në planifikimin afatgjatë ndërsektorial. Udhëheqësit vendorë filluan të pranojnë se menaxhimi efektiv i krizave duhet të adresojë nevojat e ndryshme të grave, burrave dhe grupeve vulnerabël, duke i bërë komunitetet lokale më të sigurta dhe më reziliente.
Një nga rezultatet më të papritura, por më të rëndësishme, ishte vëmendja që projekti i kushtoi sigurisë në shkolla. Vlerësimet nxorën në pah boshllëqe shqetësuese në mbrojtjen nga zjarri: pajisje të vjetruara, mungesë trajnimësh dhe role sigurie të caktuara pothuajse vetëm për meshkuj. Duke ngritur këto çështje, projekti hapi një debat të rëndësishëm publik mbi sigurinë e fëmijëve dhe stafit, si dhe nevojën urgjente për të pajisur dhe trajnuar stafin – kryesisht femra – për reagim ndaj zjarrit.
“Si mësuesit, ashtu edhe fëmijët vijnë në ushtrime vetëm për të bërë fotografi. Ushtrimi dhe përdorimi i pajisjeve duhet të jenë të detyrueshme për çdo fëmijë.” – Zjarrfikës
Veprimi rriti mirëkuptimin te vendimmarrësit lokalë për rëndësinë e përfshirjes së grave si në parandalimin, ashtu edhe në reagimin dhe rikuperimin nga krizat. Përfshirja aktive e koordinatorëve për barazi gjinore në komuna e përforcoi edhe më shumë këtë progres. Një arritje kryesore, e paparashikuar fillimisht, por me ndikim të madh, ishte nxitja e diskutimit mbi përmirësimin e përgatitjes ndaj krizave në shkolla. Analizat mbi masat e sigurisë nga zjarri në shkollat fillore zbuluan boshllëqe në disponueshmërinë dhe mirëmbajtjen e zjarrfikëseve, mungesë trajnimesh të strukturuara dhe protokolle të qarta për reagimin ndaj krizave. Për më tepër, u evidentua një pabarazi gjinore në ndarjen e përgjegjësive për sigurinë, ku njohuritë dhe rolet për reagimin ndaj krizave u caktoheshin kryesisht meshkujve.
Rekomandime të përgjithshme
Rekomandimet e analizave theksojnë nevojën për:
-
rritje të investimeve në trajnimet për mbrojtjen nga zjarri për stafin e shkollave, i cili përbëhet kryesisht nga gra;
-
përmirësimin e përdorimit dhe mirëmbajtjes së zjarrfikëseve;
-
informimin më të gjerë mbi stafin e trajnuar për përdorimin e pajisjeve të mbrojtjes nga zjarri;
-
përditësimin e planeve të evakuimit dhe përgatitjes në rast zjarri.
Të njëjtat rekomandime vlejnë edhe për këshillat e shkollave.
“Kjo është hera e parë që u ulëm bashkë me përfaqësues nga komuna, shoqëria e mbrojtjes nga zjarri dhe sektori i OJQ-ve për të diskutuar nevojat dhe mënyrat se si ta bëjmë sistemin më efikas,” – Psikologe shkolle në Koçan.